Dashuria, Romanca, Realiteti

love romance realityNjë martesë e lumtur deri në vdekje mund të tingëllojë si një klishe e tepruar e ndonjë përalle. Megjithatë, një marrëdhënie e mirë është një prej burimeve më të mira të lumturisë personale. Një studim zbuloi që njerëzit e martuar në përgjithësi ndihen më mirë rreth jetës së tyre sesa beqarët. Dhe ky qëndrim pozitiv ndikon në punën, miqësitë dhe prindërimin e tyre.1

Nëse kjo nuk ju le përshtypje, konsideroni studimin britanik që e gjeti se rastet e vetvrasjes për 100 000 veta ishin:

9 nga njerëz të martuar

17 nga njerëz beqarë

204 nga njerëz që kishin shpërthyer nga vuajtje e marrëdhënieve të pazgjidhura.

Marrëdhëniet mund të jenë të hareshme ose të rrezikshme, nëse nuk e kuptoni se çfarë po bëni.

Studimi i marrëdhënieve ka edhe dobi në fushën financiare, se shpenzimet e divorcit janë të llahtarshme. Një studim llogariti që çdo Australian shpenzon më shumë se 300 dollarë (165 pound)  taksa çdo vit për të shlyer shpenzimet e divorceve. Në krahasim, vetëm 16 cent investohen në edukimin martesor. Por duke lexuar këto mësime ju jeni duke bërë një hap pozitiv, duke investuar për lumturinë tuaj të ardhshme.

Dëgjo Audio

Kush  jua mësoi dashurinë?

Nga i keni marrë idetë dhe besimet e tuaja rreth dashurisë? Prindërit e tuaj ndoshta kanë patur ndikimin më të madh në opinionet dhe sjelljen tuaj.

Nëse ata kanë një marrëdhënie të lumtur dhe të qëndrueshme, ka shumë mundësi që të keni trashëguar një informacion të besueshëm (dhe sipas statistikës, keni edhe një shans më të mirë për një martesë të lumtur.)

Një folës i famshëm edukues ka zakon të pyesë audiencat: “Sa prej jush do të martoheshit duke e ditur që do të ishit po aq të lumtur sa prindërit e tuaj?” Nga një audiencë prej 400 veta vetëm nja 12 veta i ngrenë duart. Shumë prej nesh kemi nevojë të mësojmë aftësitë dhe qëndrimet që prindërit tanë nuk mundën të na mësojnë.

Media ndoshta është ndikuesi i dytë më i madh në mënyrën tonë të të menduarit. Filmat dhe serialet eksplorojnë çdo situatë të mundshme të marrëdhënieve. Dhe ndërsa ne jemi duke i përqeshur, ato ndikojnë në mënyrë të fshehtë tek qëndrimet tona. Por sa ekspert në psikologji janë këta shkrimtarë të filmave? Njerëzit e Hollivudit kanë nivelet më të larta e të ardhurave në gjithë botën… por gjithashtu edhe shkallën më të lartë të divorceve – 78% e martesave të para dështojnë.

Shumë yje janë aq të zotë në marrëdhëniet që martohen 4 ose 5 herë, pa numëruar lidhjet jashtmartesore! Dhe pavarësisht kësaj, Hollivudi pohon të jetë fabrika e ëndrrave, duke eksportuar në botë idetë e dështuara rreth dashurisë.2

Edhe pse ky kurs eksploron marrëdhënien në martesë, këto parime janë të rëndësishme edhe në situata të tjera të marrëdhënieve.

Nuk do flasim veçanërisht rreth martesave me anë të mblesërisë, poligaminë, marrëdhëniet ‘de fakto’, por çdo marrëdhënie ka qëllimet e tyre kryesore – argëtimin, të përkiturit, mbijetesa e kohëve të vështira, komunikimi, zgjidhja e konfliktit dhe rritja në afrimitet.

Ne shpresojmë që ndërsa po lexoni dhe përgjigjeni ndaj këtyre mësimeve, ju do të mësoni diçka rreth vetes, rreth njerëzve afër jush dhe se si mund të bashkëpunoni për të arritur një marrëdhënie jetëgjatë dhe të kënaqshme.

Pra, le të fillojmë eksplorimin.

Çfarë është dashuria?

Ç’është kjo pyetje qesharake?! Të gjithë dinë rreth Romeos dhe Xhulietës, Napoleonit dhe Jozefinës, Sulejmanit dhe Hyremit.

Mitet e romaticizmit kanë akoma popullaritetin mbarëbotëror duke frymëzuar 40% e librave dhe 90% e këngave. “E dua dashurinë…”, “Herët a vonë” “Ja ku jam”.

Në fakt, idetë tona rreth dashurisë mund të jenë të turbullta. Fjala “dua” përdoret në shumë raste. Ju ndoshta “doni” gjyshin, bashkëshortin, akulloren dhe macen tuaj. Shumica e paraqitjeve të dashurisë në media kanë theksin tek seksi dhe ndjenjat (ndoshta për shkakun që është më e lehtë të demonstrojnë në ekran veprimin dhe emocionet). Por me siguri një përkufizim i balancuar i dashurisë e përfshin njeriun e tërë:

  • Të menduarit (një miqësi e qëndrueshme, përkushtim logjik, interesat e përbashkëta)
  • emocionet (ndjenjat romantike, intimiteti, pasioni)
  • ana fizike (kimi seksuale, gjuha trupore, veprimet)
  • ana shpirtërore (besimet më të thella, shpresat, etika, lidhja me Zotin si burimin e dashurisë)

Le të fillojmë me dashurinë romantike (si fillojnë shumë marrëdhënie). Ajo eksiton, magjeps dhe pushton njerëzit duke i nxjerrë ata me anë të tapetit magjik jashtë jetës së zakonshme dhe hap një botë të re për ta. Dashuria romantike mund të jetë pozitive. Ajo mund të motivojë për mirësinë, duke dhuruar ndjenjat e mrekullueshme që jeni të rëndësishëm dhe që jeta është e mirë dhe mund t’ju bëjë të vetëdijshëm rreth anës shpirtërore përtej jetës rutinë. Ajo gjithashtu mund të rritet dhe shndërrohet në një dashuri më të thellë dhe reale. Megjithatë, romanticizmi ka edhe shkëmbinj të rrezikshëm nënujorë. Ajo mund të na verbërojë ndaj realitetit dhe të shkaktojë një zgjedhje jo të mençur të partnerit. Ajo mund të përdoret si  arratisje nga jeta reale. Dhe fundi i asaj mund të na shkaktojë dhimbje dhe dekurajim.

Çfarë e bën dashurinë romatike aq të fuqishme? David Jensen dhe Margaret Neëman në librin e tyre të shkëlqyeshëm “Really Relating” 3 përmendin disa prej forcave ekzistuese në  nën ndërgjegjen ose subkoshiencen tonë (në atë pjesën tonë që ndodhet si ajsbergu nën sipërfaqen e ndërgjegjëshmërisë sonë) duke shkaktuar shpeshherë katastrofat e Titanikut.

Kjo listë përfshin:

  • dëshira seksuale – një nxitje biologjike shumë argëtuese, por që nuk është një provë e përputhjes dhe dashurisë së vërtetë.
  • Nevoja për tu çiftuar – një nxitje që riprodhon jetën në çdo qenie të gjallë.
  • Nevoja për një lidhje të afërt – një prej nevojave bazë njerëzore që zhvillohet nga lidhja jonë me prindërit në fëmijëri.
  • Nevoja e intimitetit – të njohesh tjetrin dhe vetveten fizikisht, intelektualisht dhe shpirtërisht.
  • Dëshira për tu ndjerë i tërë dhe “i plotësuar” me anë të një personi tjetër.
  • Dëshira për tu ndjerë “i dashuruar” – një pritje e krijuar nga mitet kulturore dhe historitë e mediave.
  • Dëshira për të dashur dikë – shpesh herë pa pyetur veten a po bën një zgjedhje të mençur.
  • Fantazitë rreth partnerit ideal – “e bukura e dheut” ose “princi i kalter” – imazhet që imagjinata juaj ia ngjit dikujt pavarësisht nga ajo sesi ky person është në realitet.
  • Dëshira për ngritjen e vetëvlersimit nga dikush që ju vlerëson. Një këngë e vjetër thotë: “Je askush deri sa të do dikush”, megjithatë të lejoni dikë tjetër t’ju tregojë se kush jeni mund t’ju ngrejë grackat e manipulimit dhe shkaktojë zhgënjim.
  • Dëshira për diçka të paarritshme dhe të pakuptueshme. Kjo i ngjan situatës kur një qen vrapon pas makinës dhe pasi e ka kapur nuk e di se çfarë të bëjë me të.
  • Varësia – romatizmi ju sjell në “qejf”, por mungesa e tij edhe mund të shkaktojë sikletin dhe varësinë.

Me pak fjalë, çdo pikë e kësaj liste mund t’ju bëjë të ndjeni që keni dashurinë e vërtetë, kur në fakt ajo nuk është ose, në rastin më të mirë, është vetëm pjesa e realitetit. Kjo shpjegon pse aq shumë njerëz inteligjentë shikojnë mbrapa tek vendimet e tyre gjatë “dashurisë romantike” dhe habiten se ku e kanë patur trurin!

Sfida e dashurisë romantike është që ajo nuk zgjat. (Ndoshta për këtë arsye Romeo dhe Xhuljeta e Shekspirit vdiqën përpara se të fillojë realiteti i përditshëm.) Për çdo këngë dhe film që lavdëron një dashuri të zjarrtë ka edhe një tjetër që flet rreth humbjes së saj: “Ti ke humbur ndjenja”, “Ti nuk më sjell më lule” (vini re, që të dyja këngët fajësojnë partnerin!)

Kur pasioni fillestar shuhet, jeni përpara të paktën tre zgjedhjeve. E para, ju mund të betoheni që nuk do të dashuroni më kurrë. E dyta, ju mund të përpiqeni të gjeni dikë që mund t’ju bëjë të ndiheni sërish e dashuruar dhe e lumtur, por kjo nuk është aq e lehtë dhe ka shumë mundësi që nuk do të zgjasë gjithashtu. Kurse zgjedhja  e tretë është të mirëpritni realitetin në marrëdhënien dhe ta shikoni atë si sfidë në rritjen personale. Kur ju kuptoni që partneri juaj nuk është një supermodel engjëllor me aftësi të dijë dhe të plotësojë çdo nevojë tuajën – dhe që as ju nuk jeni e tillë – atëherë ju mund të filloni të vini re cilësitë e mira reale dhe ta ndërtoni marrëdhënien mbi ato. Ky mund të jetë fillimi i një dashurie më reale.

 Fazat e marrëdhënieve

Shumica e marrëdhënieve dashurore fillojnë me një pasion të fortë, pastaj rriten në faza më të qeta dhe me përvojë.

Vini re: Kjo nuk do të thotë që marrëdhëniet duhet të bëhen të mërzitshme dhe monotone, duke nisur me këmishë nate me dantelle dhe duke mbaruar te pizhamat flanellatë. Modeli i zhvillimit të një martesë pranon që çdo marrëdhënie është ndryshe, por ka një rrugë (4) për të përshkruar fazat nëpërmjet së cilave kalojnë çiftet.

  1. Romantizmi ose “të ardhurit rrotull”. Emocionet, kimia hormonale, dëshira për të treguar veten nga ana më e mirë dhe të injorojë anën e errët, verbëria ndaj dobësive dhe problemeve te ju dhe tek i/e dashuri/a.
  2. Realiteti lëndon. “Si mund të ma bësh këtë, nëse më do mua? Ne nuk mund të vazhdojmë me performancë të përsosur. A më pëlqen partneri real që po filloj të shoh? A do më pëlqejë partneri ashtu si jam në realitet, nëse e tregoj?”
  3. Konflikti. “Unë dua që të plotësohen nevojat e mia. Mendova që do të jetë më mirë. Ah, sikur të ndryshohej!” Konflikti mund të jetë i hapur, i zjarrtë, i fshehtë, manipulues ose me logjikë të ftohtë. Kjo është faza kur shumë njerëz vendosin të ndahen. Shumë çifte besojnë që konflikti është baraz fundi i marrëdhënieve. Kurse njerëzit e mençur ose  fatmirë e shohin konfliktin si sfidë dhe gjejnë mënyrat për t’i zgjidhur konfliktet e tyre. (Ne do të flasim në detaje rreth zgjidhjes së konflikteve në mësimin e 6.) Të tjerët shpresojnë që duke injoruar konfliktin, ai nuk do të ndikojë tek ata. Por vetëm ata që mësojnë të menaxhojnë konfliktin do ta kalojnë provimin dhe do të ecin përpara për në fazën tjetër.
  4. Zgjidhja. Çifti ka mësuar aftësitë e komunikimit dhe janë rritur si njerëz. Ata janë miq që kanë kaluar së bashku shumë gjëra. Ata kanë besim në vetvete, duke ditur që kanë mësuar nga eksperienca strategjitë sesi të menaxhojnë problemet nëse ata sërish i bëjnë ballë ato. Ata tani mund të shijojnë shpërblimin e tyre duke patur – siguri, mirëbesim, kënaqësi dhe rehati. Ata gjithashtu mund të shijojnë thellësisht dhe sinqerisht romantizmin dhe seksin.
  1. Adapted from Jansen and Neëman, pp.16-18

Shkrimtarët e tjerë 5 i përshkruajnë këto faza ndryshe ose me më shumë detaje. Për shembull:

Ju niseni si një individ.
Gjatë fazës romantike ju theksoni të gjitha gjërat që keni të përbashkëta. “Uaaa, ne madje pëlqejmë të njejtat këngë dhe të njëjtën skuadër futbolli! Kjo me siguri është dashuri!” Kjo zgjat vetëm nga 15 muaj deri në 3 vjet në shumicën e martesave (ose vetëm disa javë në martesat e dyta). Zakonisht një prej partnerëve fillon të ndihet paksa i mbytur nga afrimiteti i tepërt dhe përpiqen të krijojnë disa kufji për privatsinë në këtë marrëdhënie. (“A duhet të kalojmë çdo mbrëmjë së bashku?”) Partneri tjetër ndihet i zbrazët dhe i mosdashur dhe fillon gjuetinë. Kjo mund ta bëjë partnerin e parë të ndihet edhe më i mbytur dhe ta nxisë atë të reagojë në mënyrë të ekzagjeruar dhe të shtyjë partnerin tutje. Kjo është faza ku mbarojnë shumë marrëdhënie, veçanërisht ato pa lidhje formale martesore. Disa njerëz kanë si zakon t’i lenë marrëdhëniet në këtë fazë, duke u kthyer në fazën e romantikës me dikë tjetër.
Gjatë kësaj faze partnerët fillojnë të mendojnë në mënyrë praktike për të gjetur kompromis që kënaqin të dy palët. Kjo kërkon disiplinën dhe pjekurinë. Për këtë arsye shumë çifte e zgjasin këtë fazë dhe gjejnë një dashnor/e, ose i përkushtohen 100% punës – por kjo është thjesht një arratisje pa një zgjidhje reale. Kjo fazë mund të zgjasë 5-15 vjet, duke u varur nga aftësitë e partnerëve për të bashkëbiseduar.
Partnerët kuptojnë që janë mjaft pjekur për të jetuar në një mënyrë të pavarur, por në fakt ata pëlqejnë njëri-tjetrin dhe kanë një dëshirë (më shumë se një ndjenjë dëshpëruese) për njëri-tjetrin. Ata fillojnë të argëtohen në marrëdhëniet e tyre.
Kjo është ëmbëlsira në fund. Partnerët kanë shumë gjëra të përbashkëta. Ata punojnë si një skuadër, duke i ditur levizjet e njëri-tjetrit, dhe akoma duke u rritur dhe duke i bërë surpiza të këndshme njëri-tjetrit. Ata ndihen rehat së bashku por jo të mërzitur ose pa pasion. Ata kanë shumë për t’i dhënë familjes, shoqërisë, etj.

Pra…

Ne kemi diskutuar rreth “dashurisë” si një pasion emocionues dhe se si ajo mund të rritet në një dashuri të bazuar në një miqësi të vërtetë, e themeluar në realitet dhe përkushtim, pa munguar as pasioni as argëtimi. Tani erdhi koha për ju që të flisni (nuk duam të flasim vetëm ne):

  • Çfarë lexuat më sipër a i përshkruan disi marrëdhëniet tuaja?
  • Si mendoni, në cilën fazë jeni dhe në cilën fazë duhet të kaloni? (Mos e fajësoni veten. Thjesht përpiquni të kuptoni.)
  • Çfarë ndryshimesh nevojiten për të arritur në fazën e fundit – fazën e zgjidhjes? Sa kohë do t’ju duhet që të kaloni atje?
  • A bie darkort partneri juaj me ju?
  • Në cilën fazë doni të jeni sot një vit më pas? Po sot 10 vjet më pas?

Shpresojmë që kjo do t’ju hapë tema bisedës me partnerin. Ne do të japim fjalën e fundit të një shkrimtari të lashtë i cili e ka përkufizuar dashurinë si vijon:

“Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk ve në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë. Dashuria nuk ligështohet kurrë. (Pali, Bibla: 1 Korinthasve 13:4-6)

Bëj testin online...

Dëgjo në Soundcloud