Shumë marrëdhënie marrin fund kur pritshmëritë nuk bëhen realitet! Zbuloni cilat janë tri tipat e ndryshme të pritshmërive, si t’i njohim dhe çfarë të bëjmë me to. Marrëdhëniet e suksesshme shpeshherë bazohen në pritshmëri të qarta, rreth të cilave partnerët kanë biseduar së bashku, duke bërë një kontratë bazë me kompromiset e pritshmërive të tyre. Kjo strategji është një ndihmë e madhe për të zhvilluar aftësi të shkëlqyeshme të zgjidhjes së konflikteve.
Një çift i sapomartuar po firmoste çertifikatën e celebrimit – një kontratë serioze. Mëngjesin tjetër ata zgjohen pas një nate përrallore dhe që të dy fillojnë t’i japin shenja njëri-tjetrit që janë të uritur, por asnjë prej tyre nuk çohet për të gatuar.
Ai po habitet pse ajo nuk e përgatit mëngjesin, sepse këtë gjë gjithmonë bënte nëna e tij. Ajo çuditet pse ai nuk bën mëngjesin (ose të paktën të porositë diçka me telefon) siç bënte babai i saj në raste të veçanta. Që të dy ndihen pak a shumë të zhgënjyer dhe të padashur, sikur partneri ka shkelur një marrëveshje. Por asnjeri prej tyre nuk e dinë se ç’marrëveshje është ajo! Ata nuk kanë biseduar rreth pritshmërive të tyre në detaje.
Marrëveshje të ndryshme
Mund t’ju duket një gjë e ftohtë, jo-romantike, llogaritëse dhe juridike të përshkruaj dashurinë si një kontratë. Por nga aspekti praktik martesa është bërë prej serive të marrëveshjeve.
Dhëndri ndoshta ka disa pritshmëri të ndryshme në mendjen e tij:
- Gjërat që ai i di, që ai do dhe ia ka shprehur nuses (“i ndërgjegjshëm, e shprehur/verbale”). Për shembull, “Unë dua katër fëmijë”. Ndoshta ata janë marrë vesh mbi këtë çështje. Dhe madje nëse nuk kanë arritur akoma të bëjnë marrëveshjen, ata të paktën kanë nisur për të gjetur një kompromis.
- Gjërat që ai i di që do por nuk ia ka shprehur nuses (“të ndërgjegjshme, të pashprehura/jo-verbale”). Për shembull, “Nëse unë jam i vetmi burim financiar i familjes, nusja gjatë natës mund të kujdeset vetë për fëmijët.
Kjo mund të jetë shokuese për atë! Pa diskutuar këtë që në fillim, ajo mund të ndihet e përdorur dhe e pavlerësuar, që patjetër do të shkaktojë keqkuptime dhe konflikte të mundshme. Zakonisht njerëzit i fshihen këto tema për shkak se kanë frikë nga mosmiratimi ose inati i partnerit. Shembuj të tjerë:
- Unë do të bëj të ndihesh i/e sigurt dhe ti nuk do të kesh nevojë për pije alkoolike.
- Unë do të përmirësoj aftësitë e tua të komunikimit dhe do të marr ty në palestër që të biesh në peshë.
- Ti do të jesh ai që do të sjellë para në shtëpi, kështu që unë mund të jem e shkujdesshme dhe e papërgjegjshme.
- Gjërat që ai pret nga nusja por kurrë nuk i ka menduar ose shprehur ato (“e nën-ndërgjegjshme, të pashprehura”). Për shembull, “Nusja ime do të më mbështesë emocionalisht kur do të kthehem nga puna i stresuar ose i mërzitur.
Por sikur babai i saj ka qënë shkëmbi i stabilitetit emocional në familje dhe ajo pret nga burri i saj t’i japë ngushëllim gruas dhe fëmijëve? Herën e parë që ai vjen në shtëpi duke pritur mbështetje emocionale dhe ajo nuk vepron sipas skenarit të tij (sepse ajo nuk ia ka idenë e skenarit të tij), ai mund të ndihet i lënduar, i zemëruar dhe mund të fillojë grindje.
Shembuj të tjerë:
- “Nëse ti do të shëndoshesh, unë do të të braktis ose do të gjej një të dashur tjetër.”
- “Unë do të jem mbizotërues kështu që unë të ndihem i fortë, kurse ti të ndihesh e mbrojtur.”
Nusja patjetër do të ketë të paktën tre marrëveshje krejt të ndryshme në mendjen e saj.
Shpeshherë çifti është aq “i dashuruar” që kalojnë muajin e mjaltit pa u penguar tek mospërputhjet e pritshmërive. Ata besojnë që partneri është pothuajse perfekt dhe bien dakort me të në çdo gjë. (Këto “syze rozë” janë madje më jasht realitetit nëse marrëdhëniet seksuale janë të kënaqshme; dhe kjo është arsyeja pse disa njerëz zgjedhin të mos i kryejnë këto marrëdhënie para martesës kështu që ata të mund të marrin vendime në përputhje me realitetin.) Gjatë kësaj faze shumë çifte injorojnë çdo shenjë të mosmarrëveshjeve dhe nuk i diskutojnë ato. Deri në një ditë!
Marrëveshjet shpeshherë shkelen për shkak se ato janë ëndërra joreale, kushtet ndryshohen ose për shkak se ato kurrë nuk janë komunikuar dhe biseduar! Dhe atë ditë emocionet shpërthejnë. Njerëzit ndihen të mashtruar – veçanërisht nëse ndihen që kanë zbatuar anën e tyre të marrëveshjes. Gjithashtu, ata ndihen të pasigurt rreth çfarë mund të presin tani.
Çelsi i marrëdhënieve të shëndetshme është të bisedoni rreth pritshmërive tuaja sa më parë, para se të pengoheni tek keqkuptimet. Në rastin ideal kjo duhet të ndodhë para sa të martoheni, kështu që mund të vendosni nëse kjo marrëveshje është e pranueshme. Megjithatë, ia vlen të diskutoni dhe të sqaroni pritshmëritë tuaja edhe kur jeni tashmë çift i martuar.
Kjo është një prej arsyeve pse një këshillim paramartësor është shumë i rëndësishëm. Madje shumë shtete kanë filluar ta rekomandojnë dhe të investojnë në këtë gjë.
Çfarë mund të bëni me këto tri fusha?
Pritshmëritë e shprehura.
Këto pritshmëri janë të shprehura, ndaj tashmë janë rrugës për një zgjidhje.
Pritshmëritë e ndërgjegjshme, të pashprehura.
Këto mund të jenë minat nëntokësore. Do të jeni të mençur po t’i neutralizoni ato (duke i shprehur dhe biseduar mbi ato) para se të shpërthejnë. Pavarësisht nga frika juaj, ka mënyra sesi ta bëni këtë pa plagosje.
Për shembull, një grua pas 25 vjet martese, kur fëmijët ishin larguar nga shtëpia, filloi studimet në universitet, ku mendimi i saj u zgjerua dhe lindi dëshira për të qenë më e pavarur. Ajo ishte e shqetësuar sesi t’ia tregonte këtë burrit, sepse ajo mendonte që ai kënaqej duke patur gjithë pushtetin dhe përgjegjshmërinë në duart e tij, kështu që ajo e shtypi dëshirën e saj. Pas disa kohësh këshilltarja e saj e inkurajoi atë tia shprehë dëshirën burrit të saj. Përgjigja e tij ishte klasike. Ai tha: “Vërtetë?! Shumë bukur! Bëje pa merak! Kjo nuk është problem për mua.”
Pritshmëritë të nën-ndërgjegjshme të pashprehura.
Këto janë paksa të ndërlikuara. Është qartë që nuk mund të parandaloni ato gjëra rreth të cilave nuk ia keni idenë. Ka shumë mundësi që do të pengoheni. Por le të shpresojmë që kur kjo do të ndodhë, ju do të keni mësuar të mendoni thellë rreth asaj çfarë ndodhet mbrapa atyre emocioneve që ju të dy keni. Ju mund të pyesni: “Çfarë ndodhte në familjen tuaj?”, “Çfarë pret nga mua?” Ju mund të dëgjoni gjithë ato histori familjare dhe t’i kushtoni vëmendje mbledhjeve familjare, si festa e Vitit të Ri.
Për shembull, një çift ishte tashmë një vit i martuar dhe çdo gjë shkonte vaj veçse çdo të dielë në mëngjes ajo bëhej gojëashpër. Pas disa pyetjeve xhentile, ai zbuloi që babai i saj e kishte zakon t’i lante çdo të dielë të gjitha makinat e familjes. Kjo e bënte atë të ndihej e dashur dhe e kujdesur. Ajo mendonte gjithë kohës rreth kësaj, por kurrë nuk e shprehte atë. Ajo vetëm gjentë ndonjë çështje tjetër të vogël për tu grindur. Nusja u prek shumë kur ai i kushtoi vëmendje për ta kuptuar atë dhe i lau makinat e tyre të dielën tjetër. Në fakt, ai nuk e bëri vetë atë – ai thjesht i solli makinat në lavazh dhe ndërkohë lexonte gazetën sepse e urrente këtë punë. Por shpërblimi i tij ishte një grua e dashur që e kthente këtë me vakte speciale dhe ndihmë në pjesën më të mërzitshme të dokumentave e taksave.
Marrëveshjet
Shpeshherë marrëveshjet tuaja kanë origjinë nga familja juaj. Çdo familje ka rregulla ose ligje të pashkruara. P.sh.:
- Prindërit e dinë më mirë dhe fjala e fundit i përket atyre.
- Njerëzit e sëmurë marrin më shumë vëmendje, ndihmë dhe kontrollojnë ndodhitë në familje
- Fëmijët më të vegjel gjithmonë janë të pafajshëm (OSE fëmijët të rritur sundojnë mbi ata më të vegjel)
- Personi më luftëtar që përqesh të tjerët do të marrë atë që do.
Tani le të shohim disa çështje të detajuar që duhet të diskutojmë. Disa prej tyre mund të mos jenë të përshtatshme për ju, por para se t’i injoroni ato, zbuloni a mendon kështu edhe partneri juaj. Zakonisht vetëm disa çështje nga lista do të jenë “tema të zjarrta” në martesën tuaj. Ju mund të dëshironi t’i kushtoni një orë për të diskutuar këtë listë me partnerin tuaj. (Ose mund të shkruani veças përgjigjet tuaja dhe pastaj të diskutoni së bashku.)
Kjo duhet të nxisë diskutim midis jush, për t’ju ndihmuar të kuptoni më thellë njëri-tjetrin.
Mos u shqetësoni nëse ju nevojiten orë të tëra për ta plotësuar këtë – ajo është koha që keni investuar në marrëdhënin tuaj. (Mbani mend që duhet të tregoni të vërtetën me dashuri, dhe nëse çështja ndez grindje, merreni atë shtruar dhe mos hezitoni të kërkoni ndihmën e një këshilltari të kualifikuar për marrëdhënie.)
Kliford Seixhër (Cliffort Sager), terapisti dhe autori i teorisë së marrëveshjeve ose terapisë familjare1 sugjeron që njerëzit të ulen dhe të diskutojnë pritshmëritë e tyre në fusha të ndryshme. Ju mund të dëshironi të punoni me këtë listë veças nga partneri dhe pastaj të diskutoni mbi ato. Kjo do t’ju marrë më shumë kohë sesa mendoni dhe mund të hapë në të vërtetë një bisedë të thellë. (Paralajmërim: Ndoshta më mirë bëni marrëveshje që në fillim që nëse një partner fillon të ndihet keq, ju do të bëni pushim dhe pak argëtim ose ndonjë mënyrë tjetër për të treguar dashuri dhe respekt.)
Pritshmëritë
1. Pritshmëritë nga martesa.
Sa të rëndësishme për ju janë pikat e mëposhtme? Sa mirë e zbaton familja juaj secilën pikë? Sa mirë, sipas mendimit tuaj, zbatohen ato për partnerin tuaj?
- Besnikëria
- Mbështetja në kohëra të vështira
- Mbrojtja nga vetmia
- “të lumtur deri në fund të jetës”
- Paqja dhe qetësia në botën e kaosit
- Gadishmëria për marrëdhënie seksuale
- Të paturit fëmijë
- Siguria ekonomike
- Statusi në shoqëri
- Kuptimi personal
2. Pritshmëritë e partnerit tuaj
- Sa të varur ose të pavarur ju prisni të jeni në ndjenjat dhe aktivitetet tuaja? Po partneri?
- Sa aktivë ose pasivë do të jeni ju dhe partneri? Kush duhet ta marrë iniciativën? Për çfarë?
- Sa të afërm ose të largët doni të jeni? A dëshironi t’i ndani me partnerin mendimet tuaja më të thella ose të mbani më shumë privatësinë? A jeni të vetëdijshëm kur mbani distancë? Si duhet bërë kjo gjë? A keni frikë të braktiseni?
- Kush do të ketë pushtet? Që të dy? Ju, duke deleguar pak pushtet edhe partnerit? Ose partneri juaj, aq sa të jetë i besueshëm për të mos abuzuar me të? A jeni duke u ndeshur për pushtet?
- Kush mbizotëron në marrëdhëniet tuaja? Nëse nota 1 është për një nënshtrim total dhe 10 për një mbizotërim total, ku jeni ju? Po partneri?
- Shqetësimet. Nëse jeni të shqetësuar, a duhet të shqetësohet edhe partneri ose ai/ajo duhet t’ju ndihmojë ta paksoni atë? Po kur shqetësohet partneri? Si e përballoni me shqetësimet dhe stresin?
- A keni nevojë të zotëroni dhe të keni kontroll? Ose të përkisni dhe të jeni të kontrolluar?
- A dëshironi të keni me partnerin një dashuri romantike ose thjesht miqësi? Si do ta shprehni dashurinë?
- A ndiheni të sigurtë në rolin tuaj të gjinisë? A keni nevojë që nusja juaj të jetë shumë femrore që të ndiheni si burrë? Dhe burri të jetë shumë mashkullor që të ndiheni si një zonjë?
- A dëshironi që bashkëshorti tuaj të jetë ambicioz dhe i suksesshëm, seksi, i/e bukur fizikisht, etj.? Si është realiteti? Çfarë i mungon partnerit? (Jini jashtzakonisht diplomatik në përgjigjet tuaja!)
- A keni stile të ngjajshme të mësuari, menduari dhe të biseduari? Çfarë ndikim ka kjo?
3. Pritshmëritë e jashtme
- Sa të ngjajshme janë stilet tuaja të komunikimit? A jeni të aftë për të folur dhe dëgjuar mirë?
- A ka ndryshime midis mënyrës suaj të të menduarit? A ka ndonjë problem? Cila është ana pozitive e kësaj?
- A ndani të njejtat qëllimet e stilit të jetës, aktivitetet dhe pushimet?
- A keni zënkë rreth familjeve tuaja të origjinës?
- Sa ngjajnë mendimet tuaja mbi edukimin e fëmijëve? A ka ndonjë fëmijë në anën tuaj, kundër partnerit? Anasjelltas?
- A keni mosmarrëveshje mbi fitimin, harxhimin dhe kursimin e parave?
- Çfarë ju ndez seksualisht? Cili partner duhet të marrë iniciativën? A ka një prej jush më shumë dëshirë sesa tjetri? A janë moralet tuaja të ngjajshme? A ju bën seksi të ndiheni të dashur dhe të lidhur? A argëtoheni gjatë marrëdhënies seksuale? Pse? pse jo? (Nëse nuk keni marrëdhënie seksuale, ju mund të diskutoni rreth së ardhmes ose idealeve tuaja.)
- A keni të njejtat vlera?
- A keni të njëjtën besim shpirtëror?
- Si është puna me shokët e tij, shokët e saj dhe shokët e përbashkët? A keni shokë të së njëjtës gjini, gjinisë së kunërt ose që të dy? A është në rregull kjo?
- Si i ndani rolet tuaja? Kush do të fitojë më shumë para, kujdeset për shtëpinë, do të edukojë fëmijët, vendosë për pushime, etj.?
Mos thërrisni avokatin
Mos u fiksoni pas idesë së kontratave. Kjo nuk do të thotë që ju do të mbani anën tuaj për të marrë çfarë dëshironi. Kjo marrëdhënie jek -e-jek nuk është dashuri. Dashuria idealisht është një përkushtim për t’i dhënë sa më shumë personit tjetër. Dashuria nuk ndalon së dhuruari vetëm për shkakun që nuk e ka marrë diçka për ca kohë. Në fakt, në kohëra të vështira dashuria e vërtetë jep edhe më shumë.
Ju jeni njerëz, që të dy prej jush keni huqet dhe dobësitë tuajë. Pjesa e kontratës suaj duhet të jetë marrëveshje rreth faljes dhe mosvërejtje e disa zhgënjimeve të pritshmërive, kështu që personi tjetër të ndihet i vlerësuar. Jepini partnerit hapësirë për t’u rritur.
Kontrata juaj ndoshta do të ndryshojë me kalimin e kohës. Interesat dhe nevojat tuaja do të ndryshohen, kështu ju do t’i përshtateni sërish pritshmërive tuaja nga partneri dhe martesë. Kjo është një gjë shumë normale dhe një arsye e mirë për të diskutuar marrëveshjet tuaja në mënyrë të rregullt.
Ndryshimet gjinore
Madje në këto kohëra të barazisë gjinore, ka ndryshime midis mënyrës sesi mendon një burrë e një grua rreth dashurisë dhe marrëdhënies.
Në librin e tij klasik “Meshkujt janë nga Marsi, Femrat janë nga Venusi” psikologu Xhon Grej (John Gray) thekson disa ndryshime gjinore:
- Femrat flasin për t’u ndjerë të kuptuara dhe të lidhura; ndërsa meshkujt flasin për të komunikuar informacion dhe për të zgjidhur probleme. P.sh., ajo i tregon atij gjithçka rreth problemeve të saja të punës. Ai e ndërpret me një këshillë se çfarë duhet bërë. Ajo ndihet e pakënaqur – ajo nuk kishte nevojë për një këshillë, ajo dëshironte kuptueshmëri dhe dhembshuri. Shumë burra kanë nevojë të mësojnë të dëgjojnë femrat në këtë mënyrë.
- Duke i bërë ballë stresit, meshkujt kanë prirje të mbyllen në “shpellën” e tyre (garazhi, gazeta, televizori); ndërsa femrat dëshirojnë t’i afrohen partnerit dhe të flasin rreth çdo gjëje që e shqetësojnë. Grej sugjeron që femrat të kërkojnë mbështetje në një mënyrë jo-kërkuese, jo-fajësuese dhe të mos e marrin personalisht kur partneri ka nevojë për t’u larguar në shpellën e tij. Meshkujt duhet të mësojnë të dëgjojnë pa u ndjerë të fajësuar ose të përgjegjshëm ndaj zgjidhjes së problemeve të partneres. Ata duhet të komunikojnë më hapur që janë të stresuar dhe kanë nevojë për pak kohë “në shpellë” – por që ata janë akoma të dashuruar me nusen dhe me siguri do të kthehen.
- Meshkujt dhe femrat mund të flasin gjuhë të ndryshme – dhe kemi nevojë të mësojmë t’i përkthejmë ato. P.sh., kur një grua thotë: “Më duket që nuk po më dëgjon.” Dhe burri thotë: “Qysh jo? Mund të përsëris çdo fjalë që ke thënë pesë minutat e fundit.” Por ajo në fakt nuk ka ndërmend këtë. Çfarë thotë ajo është: “Nuk më duket që ti e kupton plotësisht se çfarë po të them. Më duket që s’të bëhet vonë se si ndihem unë. Të lutem, a mund të më tregosh një interes të vërtetë?2
- Burrat dhe gratë ndihen të dashur në mënyra të ndryshme. Meshkujt kanë nevojë për: besim, pranim, vlerësim, admirim, miratim dhe inkurajim. Kurse femrat kanë nevojë për: kujdesje, kuptim, respekt, përkushtim, miratim dhe heqje e merakut.
Shumica e librit të Xhon Grejit diskuton mbi këto ndryshime në fushën e nevojave emocionale dhe atë të komunikimit.
Uillard Harli (Willard Harley) në librin e tij “Nevojat e Tij, Nevojat e Saj: Ndërtimi i një martesë të fortë” (His Needs, Her Needs: Building An Affair-Proof Marriage) sugjeron që njerëzit shpeshherë e nisin lidhjen e dashurisë për shumë shkaqe të ndryshme veç seksit. Dhe partneri do të jetë më pak i tunduar nëse nevojat e tij/saj të plotësohen në shtëpi. Autori sugjeron që meshkujt dhe femrat kanë lista të ndryshme të nevojave. (Patjetër, kjo është një çështje kulturore dhe personale, kështu nevojat tuaja mund të jenë ndryshe, por ja lista e tij me nevojave kryesore që mund të diskutoni me partnerin.)
Për burrat
- Përmbushje e dëshirës seksuale
- Argëtim së bashku (“shoqëri në pushime”)
- Një partnere tërheqëse
- Paqja dhe qetësia në shtëpi
- Admirim nga familja
Për gratë
- Dashuri emocionale
- Bashkëbisedim
- Besim, sinqeritet dhe çiltërsi
- Siguri financiare
- Përkushtim familjar (burri – një baba i mirë)
A do të ishte lista juaj ndryshe?
Testoni veten: A do të ishte lista e partnerit tuaj ndryshe?
Kërkojini partnerit t’ju tregojë (me mirësjellje!) si mund të jeni më mirë në këto fusha? (Sqaroni nëse e kuptoni në të vërtetë njëri-tjetrin para se të reagoni me inat dhe ofendim. Pyesni – a të kuptoj drejt, që po më thua që…)